Në një intervistë për mediat e Beogradit, presidenti serb Boris Tadiq në një mënyrë mjaft të qartë paralajmëroi konturat e përgjithshme të strategjisë serbe për copëtimin territorial të Kosovës. Duke u përgjigjur në pyetjen se çfarë do të mund të ndodhte ndërkohë që do të pritej opinioni i gjykatës ndërkombëtare pwr legalitetin e shpalljes së pavarësisë, ai tha se Serbia do të punojë që të “rregullohen kushtet e jetës për të gjithë ata që duan të mbesin në Serbi”.
I pyetur nëse kjo do të thotë ndarje e Kosovës ai u përgjigj në mënyrë figurative. “Mendoj se nuk do të duhej t’i kalonim urat para se të kemi mbërritur atje” tha ai, duke shtuar se në negociatat e reja do të shqyrtoheshin të gjitha opsionet e mundshme. “Të gjitha opsionet janë legjitime dhe të gjitha janë më të mirë sesa kjo ku njëra palë humb të gjitha, ndërsa tjetra fiton të gjitha”, tha ai.