Kosova
do ta thotë fjalën e saj në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Gjykata e OKB-së, me seli në Hagë, ka vendosur që të ftojë edhe
përfaqësuesit e Kosovës për të dhënë argumentet e tyre lidhur me
shpalljen e pavarësisë."Duke marrë parasysh faktin se
shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës nga Institucionet e
Përkohshme Vetëqeverisëse në Kosovë më 17 shkurt 2008 është subjekt i
pyetjes së shtruar për opinion këshillëdhënës, autorët e deklaratës të
sipërpërmendur mund të jenë në gjendje të furnizojnë Gjykatën me
informata për këtë çështje, prandaj Gjykata ka vendosur që t'i ftojë
ata të japin kontribute me shkrim brenda afateve të caktuara", thuhet
në vendimin e Gjykatës.
17 prilli 2009 është caktuar data e fundit deri kur palët e interesuara
mund të dorëzojnë deklaratat e tyre me shkrim, kurse 17 korriku i po
këtij viti është caktuar data e fundit deri kur shtetet dhe organizatat
e tjera që kanë prezantuar deklaratat mund të dorëzojnë komente në
formë të shkruar për deklaratat e tjera.
Kur të përfundojë dërgimi i të gjitha deklaratave dhe komenteve për to,
pason shqyrtimi i tyre dhe marrja e një vendimi nëse shpallja e
pavarësisë së Kosovës ka qenë e ligjshme.
Asambleja e Përgjithshme e OKB-së më 8 tetor me shumicë votash e ka
miratuar kërkesën e Serbisë që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të
japë mendim këshillëdhënës për formën e shpalljes së pavarësisë së
Kosovës.