Publicisti
Veton Surroi ka thënë se Kosova nuk është shtet funksional dhe pushteti
që aktualisht ka Kosova nuk buron nga Kushtetuta e saj. Dokumenti që më
së paku zbatohet në Kosovë, sipas Surroit, është Kushtetuta e
Republikës së Kosovës.Këto komente Surroi i bëri në një
debat me temën "Nga njohja deri të krijimi i shtetit – Si më tej në
Kosovë?, organizuar nga Iniciativa Evropiane e Kosovës dhe nga
Fondacioni "Henrich Boll".
Sipas tij, e vetmja pjesë që institucionet e vendit janë treguar të
vëmendshme është kontrollimi i parasë publike. Ai ka thënë se në Kosovë
ka përzierje pushtetesh në mes të UNMIK-ut, strukturave paralele serbe,
EULEX-it dhe institucioneve të Kosovës. Dhe kjo përzierje pushtetesh,
sipas tij, sjell deri tek një paqartësi se kujt duhet t'i përgjigjen
këto institucione që aktualisht veprojnë në Kosovë.
Përfaqësuesi i Zyrë Civile Ndërkombëtare, Andy McGuffie, tha se synimi
i BE-së është stabiliteti i Ballkanit, në mënyrë që të ketë një afrim
më të madh të këtij rajoni drejt Bashkimit Evropian.