Thaçi: Kosova është një tregim i suksesshëm Në
takim vjetor të Akademisë për Paqe që po mbahet ne Fiuggi të Italisë,
kryeministri i Republikës se Kosovës, Hashim Thaçi, e ka prezantuar
Kosovën si “një tregim të suksesshëm të bashkësisë ndërkombëtare”.
Ndërsa në takimet që ka zhvilluar me diplomatë nga vende të ndryshme të
botës, kryeministri Thaçi ka marrë garanca për njohje të mëtejshme të
shtetit të Kosovës.“Kosova është një tregim i suksesshëm
për bashkësinë ndërkombëtare. Kosova si shtet i pavarur dhe demokratik
është një vend i hapur, prandaj edhe ndikohet nga zhvillimet globale.
Ne kuadër te trendëve globale, Kosova me hapa të sigurt është duke ecur
drejt integrimit ne BE dhe në NATO”, ka thënë ndër të tjera Thaçi në
paraqitjen e tij para kësaj akademie.
Ndërkaq, në kuadër të takimeve bilaterale, Thaçi është takuar me
Princin Turki Al Faisal Al Saud (Kryesues i Qendrës së Mbretit Faisal
për Studime Islamike) të Arabisë Saudite, me ish-presidentin rumun, Ion
Iliescu dhe ish-kryeministrin rumun, Adrian Nastase, si dhe me
përfaqësuesit e Republikës Demokratike të Kongos, Jordanisë, Pakistanit
dhe të Guinesë.
Në të gjitha këto takime, Thaçi ka prezantuar arritjet e deritanishme
të Kosovës në zhvillimet e brendshme dhe ndërkombëtare, duke e theksuar
domosdoshmërinë e njohjes se pavarësisë së Kosovës nga shtetet që nuk e
kanë bërë ende një gjë të tillë.
“Njohja e shtetit të pavarur të Kosovës i kontribuon paqes dhe
stabilitet në rajon, ka thënë kryeministri Thaçi”, njofton zyra për
informim e Kryeministrisë.
Pothuaj, të gjithë përfaqësuesit e shteteve me të cilët është takuar
kryeministri Thaçi -sipas kësaj komunikate - kanë dhënë sinjale
pozitive se shumë shpejt vendet që përfaqësojnë ata do të lëvizin drejt
njohjes së Republikës së Kosovës, “sepse një veprim të tillë e
konsiderojnë krejt real në zhvillimet ndërkombëtare”.