17 shkurti ka vulosur fatin e Kosovës dhe takimet me Serbinë mund të zhvillohen vetëm në nivel të të barbartëve, tha sot kryeministri Hashim Thaçi duke komentuar paralajmërimet për takime eventuale Beograd Prishtinë. Ndër vendimet e sotme të qeverisë veçohet ai për fillimin e procesit të privatizimit të Postë-Telekomit të KosovësPrishtina mund të bisedojë me Beogradin vetëm në nivel të barabartë për interesa të dy shteteve dhe popujve. Kryeministri Hashim Thaçi përsëriti këtë qëndrim para ministrave, pas informacioneve të ditëve të fundit për mundësinë e bisedimeve të reja Kosovë – Serbi.
Thaçi rikonfirmoi gatishmërinë për ndërtimin e raporteve të mira me të gjitha vendet fqinje, përfshirë Serbinë.
Kryeministri gjithashtu vlerësoi të suksesshme vizitën e fundit në Itali, gjatë të cilës tha se ka marrë vazhdimin e mbështetjes për Kosovën.
Mbledhja e sotme e qeverisë sidoqoftë, u fokusua në çështje përgjithësisht ekonomike. Qeveria mori vendim për fillimin e procedurave për privatizimin e Postë-Telekomit të Kosovës.
Qeveria sot mori vendim për themelimin e komisionit ndërministror në përbërje të të cilit janë pesë ministra, i cili do të përgatis konkursin për kompaninë këshillëdhënëse ndërkombëtare, e cila pas ekspertizës do t’i paraqes qeverisë opcionet për modalitetetet e privatizimit të PTK-së. Vendimi përfundimtar do të merret nga qeveria dhe sipas ministrit Shala procedurat do të finalizohen gjatë vitit të ardhshëm.