Paralajmërimin
e largimit të administratorit kontrovers të UNMIK-ut nga Mitrovica,
Gerrard Gallucci, kryetari i komunës së Mitrovicës, Bajram Rexhepi, e
ka vlerësuar një lajm të mirë, por që po ndodh me vonesë."Shpresojmë
se pas largimit të tij, zyrtarët e tjerë të UNMIK-ut do të jenë më të
përgjegjshëm në vendosjen e rendit dhe ligjit", ka thënë të hënën
Rexhepi në takimin e rregullt të Komitetit për Siguri të komunës së
Mitrovicës.
Ai tha se administratori rajonal i UNMIK-ut ka qenë ithtar i
status-quos dhe pengesë për stabilizimin e gjendjes në veri. "Ai ka
penguar projektet e rindërtimit dhe kthimit të të zhvendosurve në veri
dhe për çdo gjë i ka njoftuar përfaqësuesit e strukturave paralele
serbe".
Sipas Rexhepit, qëndrimi i Galluccit ndaj ngjarjeve të marsit kur janë
sulmuar gjykatat dhe ishte vrarë një polic ndërkombëtar e ishin
plagosur shumë policë e ushtarë të KFOR-it, ka qenë amnisti për ata që
kanë kryer këto akte dhune.
Rexhepi theksoi se zyrtarët e UNMIK-ut duhet të ndihmojnë në vendosjen
e rendit dhe ligjit në atë pjesë të vendit dhe të ndërprenë
bashkëpunimin me strukturat paralele serbe që janë ilegale.
Përndryshe, Rexhepi tha se gjendja në komunë është e qetë dhe në relaksim e sipër.
Duke njoftuar për largimin e maunave me vaj disulfurik, që është bërë
të dielën, Rexhepi shprehu kënaqësinë për largimin e atyre maunave që
kishin shkaktuar shqetësim për banorët mitrovicas.